Kyçja në centralin e Vlorës, vazhdon të jetë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sa i përket thirrjes së SHBA-së për t’iu bashkuar projektit strategjik të LNG-së. Këtë qëndrim e ka ripërsëritur të martën në një intervistë në ATV, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas Rizvanollit, kur diskutohet për këtë temë, s’mund të flitet njëjtë sikur për Serbinë e Bosnje Hercegovinën, sikurse për Kosovën, meqë Kosova s’ka importuar kurrë gaz rus.
“SHBA ka synim heqjen e gazit rus nga ky rajon, mirëpo s’mund të flasim për Kosovën njëjtë sikur të flasim për Serbinë e Bosnje e Hercegovinën, sepse Kosova s’ka importuar kurrë gaz rus. Prej cilit gaz do të pavarësohemi ne”, ka thënë Rizvanolli.
Ndonëse Kosova nuk importon gaz rus, importon energji elektrike nga shtete të cilat janë të varura nga gazi rus. E pyetur lidhur me milionat që importohen, Rizvanolli është arsyetuar se të dhënat e Doganës së Republikës së Kosovës s’janë të sakta, meqë sipas saj, aty përfshihet edhe rryma që kalon tranzit nëpër Kosovë.
“Shifrat e importit s’janë të sakta. Shifrat e Doganës që iu referohen të gjithë janë shifra që përfshijnë energjinë që kalon tranzit nëpër Kosovë. Shifra reale është 30-40 % më e ultë, varësisht se në cilin vit e shikon”, ka thënë Rizvanolli.
Tutje në këtë intervistë, ministrja e Qeverisë Kurti ka thënë se sa i përket projektit të gazit, aktualisht s’ka një koncept specifik dhe sipas saj, vendimi për këtë çështje s’mund të merret as bazuar në euforinë e debateve televizive e as në diskutimet parazgjedhore.
