Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar zbatimin e vendimit të Komunitetit të Energjisë që obligon Serbinë të vërë në dispozicion kapacitetet ndërkufitare për tregtinë e energjisë me Kosovën, duke thënë se Beogradi nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim dhe se Kosova nuk do të qëndrojë duarkryq.
Këto deklarata u bënë në takimin joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, të cilin këtë vit e kryeson Kosova. Në fokus të diskutimeve ishin siguria energjetike, integrimi i tregut rajonal dhe tranzicioni energjetik
Rizvanolli tha se Komuniteti i Energjisë po zhvillon punimet në një periudhë sfiduese për sektorin energjetik në rajon.
“Si organizatë ndërqeveritare e themeluar me traktat para dy dekadash, Komuniteti i Energjisë punon për të sjellë vendet e rajonit dhe vendet fqinje të BE-së më pranë tregut energjetik evropian. Takimi ynë sot po mbahet në një kohë kritike për sektorin energjetik të rajonit, ku ndërthuren pashmangshëm sfidat e sigurisë së furnizimit, tranzicionit energjetik dhe integrimit të tregut”, tha ajo, raporton eo.
Ajo theksoi se gjatë kryesimit të Komunitetit të Energjisë, Kosova është fokusuar në integrimin e tregut të energjisë elektrike, harmonizimin e politikave klimatike dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
“Kosova ka marrë kryesimin e Komunitetit të Energjisë në fillim të këtij viti me një përkushtim të palëkundur për të punuar ngushtë me të gjithë aktorët drejt synimeve tona të përbashkëta. Si vend kryesues, ne po i shtyjmë përpara tri çështje thelbësore. Së pari, po punojmë për të përshpejtuar integrimin e tregut të energjisë elektrike dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Së dyti, po përpiqemi të harmonizojmë tutje politikat klimatike dhe të hapim rrugën për zvogëlimin e emetimeve të karbonit, gjithnjë me prioritet kyç sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për konsumatorët. Së treti, po angazhohemi për bashkëpunim të shtuar dhe shfrytëzim sa më të mirë të kapaciteteve që tashmë kemi në rajon, qoftë kapaciteteve gjeneruese apo atyre transmetuese”, tha ajo.
Ministrja në detyrë akuzoi Serbinë për moszbatim të vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili kishte caktuar afatin 1 korrik 2026 për hapjen e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën.
“Ndërsa i gëzohemi përparimit rajonal dhe çmojmë marrëdhëniet e mira me pothuajse të gjithë fqinjët tanë, ne vazhdojmë të përballemi me një çështje tjetër shqetësuese që kërkon veprim të menjëhershëm. Në dhjetor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave i këtij Komuniteti të Energjisë obligoi operatorin e transmisionit të Serbisë që të vërë në dispozicion të tregtisë kapacitetet ndërkufitare me Kosovën jo më vonë se 1 korrik 2026. Tani jemi këtu. Serbia jo vetëm që nuk e ka mbërritur këtë afat, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap përgatitor për të zbatuar obligimin e vet. Operatori i transmisionit të Serbisë vazhdon të refuzojë bisedimet e drejtpërdrejta me operatorin tonë KOSTT, ndërsa komunikimi është i domosdoshëm për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal. Duke e penguar shfrytëzimin komercial të interkoneksionit me Kosovën, Serbia po i mbingarkon kapacitetet e transmetimit në Kosovë dhe në vendet fqinje dhe po u vendos një barrë të panevojshme të gjithë konsumatorëve të rajonit, veçanërisht atyre të Kosovës. Pasojat e kësaj i kemi ndier shumë afër dhe shumë rëndë në vitet e kaluara. Ne nuk mund dhe nuk do të qëndrojmë duarkryq përderisa ky obligim i Serbisë nuk zbatohet”, tha ajo, raporton EO.
