Punimet tek ura e re që po ndërtohet në Mitrovicë janë dëmtuar nga përmbytjet e fundit, të cilat ndodhën pasi u lëshua diga e liqenit të Ujmanit. Kompania që po e realizon projektin, ka rifilluar punën menjëherë pas rënies së nivelit të ujit.
Pronari i kompanisë, Jahir Nimani, thekson për KosovaPress, se përveç nënkryetarit të komunës, Arian Tahiri, asnjë përfaqësues tjetër institucional nuk ka vizituar vendin e ngjarjes.
“Nuk ka qenë kërkush deri më sot akoma, përveç nënkryetarit të komunës Arian Tahiri. As kryetari Bedri Hamza nuk ka qenë ende. Askush, as nga qeveria, as nga ndonjë institucion tjetër, përveç Arian Tahirit që ka qenë me më vizitu, asnjë institucion tjetër nuk ka ardhur”- tha Nimani.
Sipas tij, dëmet janë shkaktuar ditën kur është lëshuar diga e Ujmanit, ndërsa punimet kanë rinisur të nesërmen, sapo është ulur niveli i ujit.
“Punimet kanë filluar atë ditë kur ka ndodhur vërshimi i madh i ujit, kur është lëshuar diga e liqenit të Ujmanit. Fillimisht, të nesërmen – pas rënies së nivelit të ujit – kemi filluar me punua”, thekson Nimani.
