Prokurorët ndërkombëtarë për krime lufte thanë të hënën se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kontrollonte guerilasit shqiptarë etnikë duhet të shpallet fajtor për krime lufte dhe të dënohet me 45 vjet burg, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.
Thaçi dhe tre komandantë të tjerë ish të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për përndjekje, vrasje, torturë dhe zhdukje të detyruara të njerëzve gjatë dhe pak pas kryengritjes së viteve 1998-99, që në fund sollë pavarësinë.
“Të pandehurit kryen krime kundër atyre që i perceptonin si kundërshtarë për të marrë kontrollin mbi Kosovën”, tha prokurorja Kimberly West para gjykatës në Hagë. Ajo shtoi se në vitet 1998 dhe 1999 më shumë se 100 kundërshtarë politikë dhe persona të perceptuar si bashkëpunëtorë me forcat serbe të sigurisë u vranë dhe qindra të tjerë u keqtrajtuan në rreth 50 kampe të mbajtjes nën kontrollin e UÇK-së.
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e të katër të pandehurve për të fituar dhe ushtruar kontrollin mbi të gjithë Kosovën”, tha West afër përfundimit të një gjyqi pothuajse trevjeçar në gjykatën speciale për krime lufte të Kosovës në Hagë.
Thaçi, 57 vjeç, i cili ka shërbyer si kryeministër, ministër i jashtëm dhe president i Kosovës së pavarur midis viteve 2008 dhe 2020, dhe të bashkëakuzuarit me të mohojnë të gjitha akuzat.
