Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka ngritur alarmin për rrezikun serioz të mbylljes së Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, për shkak të pamundësisë së funksionalizimit të objektit të ri.
Sipas tij, tenda dhe depoja e KEDS-it e vendosur në pronën e UP-së po pengon largimin e shtyllës së tensionit të lartë pranë objektit të ri të FBV-së, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor.
“Situata është jashtëzakonisht serioze dhe nuk kemi më as edhe një orë për të humbur. Ne nuk mund ta zhvillojmë mësimin në ara. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë nuk ka shtëpi”, deklaroi rektori Hajrullahu.
Ai tha se Universiteti i Prishtinës ka përkrahjen e të gjitha institucioneve publike për zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë, por se KEDS-i, pavarësisht kërkesave zyrtare që nga fillimi i korrikut 2025, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zhvendosjen e depos.
