(Radio Evropa e Lirë) – Dy orë pas mesnatës, Arlinda dhe disa kolegë të tjerë të saj përfundojnë orarin e punës në një qendër thirrjeje në Prishtinë, që ofron shërbime për konsumatorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në grupin e saj ka vajza dhe djem. Dhe që të mos rrezikohen, Arlinda dhe koleget e saj janë këshilluar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës që të dalin nga zyra së bashku në grupe, ose të shoqëruara nga kolegët djem.
“Një natë, një kolegen time e pati ndjekur një burrë nga zyra jonë deri te vendi ku rrinë taksistët”, thotë Arlinda për Radion Evropa e Lirë.
Ajo preferon të mbajë anonimitetin, në mënyrë që familjarët e saj të mos shqetësohen për sigurinë e saj.
Por, prindërit e shumë vajzave në Kosovë e dinë se të bijat e tyre nuk janë të sigurta nëse dalin në rrugë pasi të errësohet.
“Unë kam shumë shoqe që jetojnë në fshatra. Mirëpo, e di që kur të bëhet terr, ato del i merr dikush tek autobusi, ose thjesht nuk dalin fare”, thotë Besarta Breznica, aktiviste feministe, për Radion Evropa e Lirë.
Ky realitet, megjithatë, nuk reflekton në një studim të shpërndarë në rrjete sociale nga fytyra të shumta publike në Kosovë në ditët e fundit.
Bëhet fjalë për një raport të qendrës amerikane të kërkimeve, Gallup, i cili vlerësoi se Kosova është shteti i tretë më i sigurt në Evropë, sipas perceptimeve të qytetarëve.
Në këtë raport, siguria i referohet asaj “se sa të sigurt ndihen njerëzit në komunitetet e tyre” dhe matet përmes katër pyetjeve:
A ndiheni të sigurt duke ecur vetëm natën në qytetin ose zonën ku jetoni?A keni besim në forcën lokale të policisë në qytetin ose zonën ku jetoni?Brenda 12 muajve të fundit, a ju janë vjedhur para ose pronë juve ose ndonjë anëtari tjetër të familjes?Brenda 12 muajve të fundit, a jeni sulmuar ose grabitur? Dhe përmes përgjigjeve në këto katër pyetjeve, Gallup tha se 89 për qind e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt – dy për qind më pak se në Norvegji, po aq sa në Danimarkë dhe më shumë se kudo tjetër në Evropë.
Kështu, Kosova radhitet edhe e 12-ta në botë.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe shtatë vajza nga Kosova që në vitet e fundit janë shpërngulur dhe tani jetojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe Veriore dhe të gjitha kanë thënë se ndihen më të sigurta në vendet ku tani jetojnë: Gjermani, Zvicër, Austri e Belgjikë.
Por, pse grafika e shpërndarë qysh nga 22 shtatori edhe nga zyrtarë si kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk i reflekton këto realitete të përjetuara të shumë grave nga Kosova?
Sepse, ajo tregon vetëm mesataren në Kosovë. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga qendra Gallup të dhëna të ndara për gjini dhe ato tregojnë se dallimi mes burrave dhe grave është i dukshëm sa i përket ndjenjës së sigurisë që kanë.
