Pas një sërë shkrimesh në disa portale lidhur me gjendjen e varrit të aktorit të madh Adem Mikullovci dhe së fundmi edhe të aktores Leze Qena-Spaqi, ka reaguar publikisht bashkëshortja e Mikullovcit, Lumnije Tufa-Mikullovci.
Ajo e ka cilësuar këtë si një shpifje të ulët që synon të dëmtojë nderin e familjes Mikullovci dhe kujtimin e dy ikonave të teatrit dhe filmit shqiptar.
“Është gënjeshtra e radhës dhe një përpjekje e ulët për të komprometuar nderin e familjes Mikullovci. Të përflitet një njeri i vdekur pas katër vitesh, të gjykohet familja mbi bazën e një varri, është jo vetëm turp, por një shkelje e rëndë e etikës njerëzore dhe gazetareske. Kjo nuk është në asnjë mënyrë pjesë e traditës sonë shqiptare”, shkruan ajo.