Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik në sheshin e Prishtinës.
Version të ngjarjes ka dhënë edhe avokati Liridon Kutllovci, që është prezantuar si mbrojtës i qytetarit me të cilin Zemaj u përfshi në incident fizik.
Sipas tij, qytetari i është drejtuar Zemajt me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”.
Kutllovci ka thënë se ky reagim i klientit të tij ka ndodhur si pasojë e frustrimit qytetar për gjendjen politike e ekonomike në vend.
Kutllovci ka thënë se sulmi ka ndodhur nga Zemaj, pa provokim tjetër prej qytetarit.
“Në vend që deputeti të ruante qetësinë dhe etikën që i takon një përfaqësuesi të Kuvendit të Republikës, ai (Zemaj) është kthyer dhe i është drejtuar qytetarit me fjalët fyese: “Gënjen nëna dhe Gruaja juaj”. Ky fjalor i papranueshëm është përdorur në prani të bashkëshortes së qytetarit. Pas rreth 20 sekondash, deputeti Armend Zemaj e ka sulmuar fizikisht klientin tim me grusht, pa asnjë provokim tjetër nga ana e tij. Klienti im ka reaguar në mënyrën më të moderuar të mundshme, pa ushtruar asnjë formë dhune dhe menjëherë ka thirrur policinë, duke demonstruar vetëpërmbajtje dhe respekt për rendin ligjor”, ka shkruar ai.
