Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.
"Po e konfirmoj", ka thënë shkurt Gashi për Telegrafin.
Vendimi vjen pas zhvillimeve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, i cili ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të thirrur nga kryeprokurori Gashi.
Procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Rasti i 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.
Me inicimin e procedurës disiplinore dhe rekomandimin për suspendim, pritet që mekanizmat kompetentë të shqyrtojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtareve të përfshira në trajtimin e rastit..
Ndërkohë, lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e saj.