Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar llogari për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në trajtimin e rasteve të tilla.
Gjatë fjalimit të saj në seancën jashtëzakonshme, Haxhiu ka pyetur nëse Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme i kanë adresuar siç duhet legjislacionin dhe mekanizmat që kanë në dispozicion.
“Cila është përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë këtu ose ministri i Punëve të Brendshme?”, ka deklaruar Haxhiu, duke iu referuar Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës.
Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe efektin e ligjeve kur ato nuk zbatohen nga institucionet përgjegjëse.
“Prandaj, është vendi ku ne duhet të flasim me zë të lartë”, ka thënë Haxhiu.
Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës. Tri ditë para vrasjes, ajo i ishte drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë me kërkesë për ndërhyrje urgjente, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Në letrën drejtuar prokurorisë, ajo kishte kërkuar masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë te njëri-tjetri dhe duke lejuar kështu që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë”, thuhej në letër.
Ajo kishte kërkuar edhe ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor, si dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Zekaj.