Procesi gjyqësor në rastin “Banjska”, ndodhet në fazën përfundimtare dhe shpejt pritet shpallja e aktgjykimit.
Mbi dhjetë dëshmitarë janë ftuar në gjykatore për dëshmi gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe zyrtarë policorë të cilët ishin pjesë e njësisë që u sulmua nga terroristë serbë.
Në mesin e tyre ka qenë edhe Alban Rashiti, të cilin e mbron avokati Naim Rudari. Ky i fundit për KosovaPress, thotë se ky proces mbetet sfidë, meqë nuk është aplikuar gjykimi në mungesë. Megjithatë, ai thotë se ka prova të mjaftueshme që të arrestuarit të dënohen me burgim të përjetshëm.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023 Policia e Kosovës u ballafaqua me sulm terrorist.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Milan Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpërlarje të parasë.
Në këtë rast po gjykohen Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq. Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës.
Avokati Naim Rudari thotë se ka parashtruar kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, që sipas tij, kanë dëshmuar rrejshëm dhe pronarit e drejtorit të “Rajnska Banja”. Ky hotel ndodhet në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi.
“Ky proces mbetet sfidë pra për gjykatën, prokurorinë dhe duket i pakompletuar dhe i mangët, meqenëse nuk është zbatuar gjykimi në mungesë dhe se nga 42 të akuzuarit, pra i kemi tre që janë duke u gjykuar, ndërsa pjesa dërrmuese e atyre që dihet, sepse gjatë procesit ne kemi vërejtur se ka pasur edhe shumë persona të tjerë që kanë qenë të implikuar në këtë rast dhe nuk janë ndoshta as të akuzuar dhe ndoshta nuk kemi njohuri edhe për të dhënat e tyre fare. Unë si përfaqësues i palës së dëmtuar, jam detyruar që të parashtroj edhe kallëzim penal për disa dëshmitarë, që kanë dëshmuar në fakt në fazën parapenale, respektivisht kanë dhënë deklaratat e tyre kur janë marrë në pyetje menjëherë pas sulmit, por kur kanë ardhur në gjykatë kanë hezituar që të dëshmojnë, e që dëshmia e tyre paraprake pra ka argumentuar se ata kanë qenë në një farë mënyre ndihmës, së paku ndihmës të atyre që kanë qenë të armatosur dhe janë strehuar në një hotel në Banjskë, që është Rajska Banja, dhe se ata drejtpërdrejt kanë qenë pra të implikuar në këtë çështje. Ata tregojnë, këta dëshmitarë kanë treguar më herët në fakt se ka pasur persona që u kanë ndihmuar këtyre kriminelëve që të ndërrojnë rrobat, uniformën në hotelin Rajska Banja, të veshin rroba civile dhe të depërtojnë ndoshta pa u vërejtur fare në rrugë të tjera, ndoshta dhe në rrugë të ligjshme nëpër pikën kufitare zyrtare të Kosovës”, deklaron Rudari.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
