Analisti politik, Sadri Ramabaja, vlerëson se liderët e partive parlamentare janë të vetëdijshëm se ndodhen në një situatë të ndërlikuar politike, të krijuar, sipas tij, nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se kjo situatë nuk mund të zgjidhet me këmbëngulje në qëndrime, por kërkon shkathtësi politike dhe një marrëveshje të gjerë mes partive.
“Lidershipi i tri-katër forcave politike parlamentare e ka të qartë që ndodhet në një kurth politik të hedhur nga Gjykata Kushtetuese, me këtë kuorum të imponuar jashtë frymës së Kushtetutës. Të gjithë e kanë kuptuar se nga ky kurth politik duhet të dilet me shkathtësi e jo me kokëfortësi”, tha Ramabaja ne “Debat Plus”.
Sipas tij, zgjidhja mund të vijë përmes një koalicioni ose një marrëveshjeje politike që do të mundësonte ndryshimet e nevojshme kushtetuese, veçanërisht për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
“Ky proces kërkon ose një marrëveshje të gjerë politike, një koalicion, ose një marrëveshje që garanton një periudhë të përshpejtuar për të bërë ndryshimet kushtetuese të domosdoshme, në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, u shpreh ai.
