Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha globale për inteligjencën artificiale, “Expo AI 2026”, që mbahet në Washington. Ai ka theksuar se kjo pjesëmarrje nuk është thjesht protokollare, por përfaqëson një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe për kryeqytetin.
Sipas tij, për dekada me radhë Kosova është parë kryesisht përmes luftës dhe sfidave politike, por kjo paraqitje synon të ndryshojë këtë perceptim.
“Nesër, para botës, Prishtina prezantohet ndryshe: si qytet i rinisë, si qendër e inovacionit dhe si simbol i një shteti që nuk u dorëzua kurrë dhe që sot kërkon vendin e vet në epokën e inteligjencës artificiale”, ka deklaruar Rama.
