Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me fotografinë e Thaçit me gjeneralin Wesley Clark, Rama thekson se shteti i ri dhe sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, por nga gjaku i Ushtrisë Çlirimtare.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, shkruan Rama.
Ai shton se mbrapa hekurave të kësaj “padrejtësie ulëritëse”, disa tifozë të verbuar, siç i quan ai, e trajtojnë Thaçin si armik politik dhe shpresojnë që të mos dalë kurrë nga paraburgimi.
