Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të premten se në protestën kundër investimit në Zvërnec ka pasur “ndërhyrje të huaja brutale”, manipulime me lajme të rreme dhe video të deformuara, por ka theksuar se shkaku kryesor i pakënaqësisë së qytetarëve lidhet me rënien e besimit te institucionet dhe pritshmëritë e tyre të papërmbushura.
Sipas ATSH-së, gjatë mbledhjes së përbashkët të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, i pari i qeverisë në Tiranë tha se në protestë “kishte pa diskutim ndërhyrje të huaja brutale, manipulime të panumërta me lajme të rreme dhe video të deformuara”, duke shtuar se këto elemente ishin pjesë e rëndësishme e asaj që ndodhi, por jo thelbi i protestës.
Ai tha se protesta nxori në pah një hendek mes fakteve të paraqitura nga qeveria dhe mënyrës se si qytetarët e përjetuan situatën.
“Ne lart kishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, ndërsa përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po u shitej të huajve. Fakti ynë ishte se projekti është ende në fazën e projektimit, ndërsa përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe projekti duhej anuluar”, tha Rama, raporton ATSH
