Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një intervistë për emisionin “Praktik” në Klan Kosova, ka theksuar rëndësinë dhe potencialin e madh ekonomik që ka turizmi shëndetësor për vendin, duke kërkuar një bashkëpunim të ngushtë publiko-privat dhe hartimin e një strategjie shtetërore.
Rafuna bëri të ditur se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shpenzojnë shuma të mëdha parash për trajtime mjekësore jashtë kufijve, shifër kjo që sipas tij duhet të ndalet përmes fuqizimit të sektorit vendor.
“Sipas të dhënave të Shoqatës së Spitaleve Private që i kemi brenda Odës Ekonomike të Kosovës, janë rreth 200 milionë euro në vit që kosovarët i shpenzojnë për trajtime shëndetësore jashtë vendit tonë. Kërkesa urgjente është që jo vetëm të mos lejojmë që këto 200 milionë të na dalin jashtë, por të sjellim edhe më shumë se aq nga pacientët e huaj,” tha Rafuna.
Ai shtoi se ndonëse stafi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet rajonale është profesional, nevojiten investime urgjente në infrastrukturë, pajisje të teknologjisë së fundit dhe furnizim me barna e materiale shpenzuese nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

