“Të gjithë janë bashkuar kundër nesh”, thotë Albin Kurti duke përshkruar skenën politike në Kosovë sipas Lëvizjes së tij Vetëvendosje. Për partinë më të madhe në vend, çdo veprim i opozitës është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj saj. Por për disa vëzhgues, ky perceptim është më shumë një zgjedhje strategjike e Vetëvendosjes sesa pasqyrë e realitetit politik.
Natën e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor, kreu i Vetëvendosjes trumbetoi fitoren e partisë së tij në shtatë komuna të Kosovës, përkundër atyre që ai i quajti kushte të pazakonta politike.
“I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë, të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme, meqenëse në të gjitha këto raste, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes”, tha Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë.
Në vazhdën e këtij diskursi, ai edhe në një postim në Facebook, ku falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në balotazh, tha se Vetëvendosjen “s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”.
Këtë qasje e përforcoi edhe bashkëpartiaku i tij, Xhelal Sveçla, i cili humbjen e Vetëvendosjes në Prishtinë e cilësoi si rezultat të “koalicionit të pazareve”, e jo ideve.
Në një postim në Facebook, ai shkroi se “koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojnë më së shumti qytetarit. Mbetet që angazhimi ynë të minimizojë dëmin e zvogëlojë çmimin, gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë”.
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, nuk e sheh situatën si një front të bashkuar kundër Vetëvendosjes. Ai thekson se në zgjedhjet lokale, kjo parti ka bashkëpunuar me pothuajse të gjitha partitë tjera, ashtu si edhe të tjerat me njëra-tjetrën.
“Për shembull, AAK-ja e ka përkrahur Vetëvendosjen në Fushë Kosovë; Vetëvendosja e ka përkrahur AAK-në në Junik; Vetëvendosja e ka përkrahur PDK-në në Dragash, e kështu me radhë. Të gjitha këto kanë ndodhur në këto zgjedhje lokale, përkundër polarizimit në nivel qendror të partive politike”, thotë Ymeri për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Në skenën qendrore, Vetëvendosje nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme, dhe dështoi të gjente partnerë për bashkëpunim. Me asnjërën palë që nuk pranonte kushtet e tjetrës, Kuvendi mbeti i bllokuar dhe Qeveria vazhdon të funksionojë në detyrë.
Mandatarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i skadon afati ligjor për të paraqitur përbërjen e re qeveritare më 19 nëntor. Pa mbështetjen e partive të tjera, rruga e Kosovës duket e hapur drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Partitë e mëdha tashmë kanë deklaruar se nuk do të japin votë për Konjufcën. Përfaqësuesit e tyre akuzojnë Kurtin se ka humbur tetë muaj me manipulime e taktizime politike, ndërsa situata aktuale, sipas tyre, dëshmon se partia e tij nuk mund të sigurojë shumicën “as në ëndrrat më të mira”.
Në sytë e vëzhguesve, të dyja taboret që vetëparaqiten si konstruktive, kanë mundur të bëjnë më shumë, por barra kryesore bie mbi partinë më të madhe, e cila, duke pasur mundësi për të ndërmjetësuar dhe lehtësuar dialogun, ka zgjedhur të forcojë narrativin e polarizimit.
Agon Maliqi thotë se Vetëvendosjes i ka shërbyer narrativi i “forcës më të mirë kundër gjithë së keqes së të shkuarës” në vitin 2021, kur ka fituar mbi 50 për qind të votave. Por sot, ky mesazh ka humbur fuqinë dhe nuk e mbështet më partinë si dikur.
“… për shkak se partitë ish-opozitare nuk janë më njësoj, edhe ato kanë lidership tjetër. Është dukur qartë edhe në zgjedhjet e fundit nacionale se ato kanë pasur rritje dhe e kanë kthyer një pjesë të besimit – jo të gjithën. E, po ashtu, edhe në zgjedhjet lokale kanë fituar shumë komuna”, thotë Maliqi për Exposenë.
Vetëvendosje edhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 ka dalë e para, por me rreth një të katërtën e votave, ka qëndruar në pushtet vetëm rreth 50 ditë, pasi koalicioni me LDK-në është shembur.
Rritja e partisë dy vjet më vonë i është atribuar pjesërisht edhe aleancës së Kurtit me presidenten e atëhershme në detyrë, Vjosa Osmani, e cila është larguar nga LDK-ja për t’iu bashkuar Kurtit.
E njohur për veprime provokuese, si hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend, Vetëvendosje ka lindur në fillim të viteve 2000 si një lëvizje proteste kundër elitave vendore dhe ndikimit ndërkombëtar në Kosovën e pasluftës – atëherë nën administrimin e OKB-së.
Me hyrjen në politikë në vitin 2011, ajo ka nisur të transformohet në një forcë institucionale, duke zbutur me kohë edhe tonin e saj radikal. Në zgjedhje ka garuar me narrativ kundër korrupsionit, duke e paraqitur veten si alternativë ndaj klasës së vjetër politike, e cila, sipas saj, ka abuzuar me pushtetin.
Sipas analistit Agon Maliqi, edhe tani duket se bëhet fjalë për një përpjekje të Vetëvendosjes për ta imponuar vullnetin e saj me çdo kusht, duke e përsëritur në një formë tjetër logjikën e forcës që dikur kritikonte.
