Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës presidente e Kosovës është vlerësuar nga qytetarët si një hap që ka krijuar stabilitet politik dhe ka hapur rrugën për trajtimin e çështjeve të tjera me të cilat përballet vendi.
Për KosovaPress, qytetarët kanë folur edhe për nevojën e konsensusit dhe kompromisit në politikë, Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe qëndrimet e partive politike pas zhvillimeve të fundit.
Qytetari, Fehmi Pireva ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria kanë bërë zgjidhje të mirë duke i përmbyllur çështjet që, sipas tij, kanë qenë urgjente.
“Mendoj që Kuvendi dhe Qeveria kanë bërë një zgjidhje të mirë, në një mënyrë, duke e kaluar ligjin, por edhe zgjedhjen e presidentes si dy pika që kanë qenë urgjente, për shkak të afatit të shkurtër, sidomos për zgjedhjen e presidentes. Është krijuar një stabilitet politik, është hapur rruga që të shtrohen edhe probleme të tjera në të ardhmen, pasi që me kohë jemi vonuar. Ka disa vite që mbajmë zgjedhje. Mendoj që presidentja, në aspektin personal, të përvojave, qëndron mirë. Mendoj se ka një qëndrim unifikues me faktorët e skenës politike. Tash e tutje duhet të fillohet të punohet.”
Ndërkaq, një qytetar tjetër, Franklin Sedaj ka theksuar rëndësinë e konsensusit dhe kompromisit për funksionimin e demokracisë dhe institucioneve.
“Po flas në cilësinë e juristit dhe shkrimtarit që dua ta shoh mirë këtë vend. Dy nocione që nuk janë kuptuar sa duhet janë konsensusi dhe kompromisi. Këto janë formulat mbi bazën e të cilave funksionon demokracia. Përderisa ne nuk dimë ta zhvillojmë ecurinë e politikës mbi konsensusin dhe kompromisin, ne do të përballemi gjithmonë me pasoja. Sa më shpejt që i mësojmë këto formula të funksionimit të demokracisë dhe shoqërisë demokratike, do të kemi institucione stabile dhe një shtet të qëndrueshëm”, tha ai.
Një tjetër qytetar ka komentuar zgjedhjen e presidentes, Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe qëndrimin e LDK-së.
“Po, është e duhura. Pse jo, akademike, përvojë të madhe të punës. Për Ligjin e Speciales ka kaluar, LDK-ja ka treguar fytyrën e saj, e bëfshin me shëndet.”
Për presidenten e re, Justina Shiroka Pula, ai ka thënë se është figurë e qëlluar dhe e kulturuar.




