Gjatë festave të fundvitit, Klinika e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka trajtuar një numër të konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave.
Sipas njoftimit të shërbimit spitalor, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Lëndimet më të shpeshta kanë prekur duart, kryesisht gishtërinjtë, duke përfshirë raste me amputime të pjesshme ose të plota dhe dëmtime serioze të tendinave. Po ashtu, janë regjistruar edhe lëndime në fytyrë, që kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja afatgjata estetike dhe funksionale.
Aktualisht, gjashtë pacientë mbeten të hospitalizuar për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, që kërkojnë trajtim të specializuar dhe ndërhyrje të mëtejshme kirurgjikale. Shërbimi spitalor thekson se këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja funksionale dhe psikologjike të përhershme dhe kërkojnë rehabilitim afatgjatë.
