Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Dubravës, duke bërë homazhe së bashku me të mbijetuarit Nait Hasani dhe Bajrush Xhemaili, si dhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kryeziu ka thënë se Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze të kryera nga forcat paramilitare dhe policore serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm.
“Sot isha së bashku me dy të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës, miqtë e mi të nderuar Nait Hasani dhe Bajrush Xhemaili, si dhe nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, në nderim të viktimave të këtij krimi monstruoz të kryer nga forcat paramilitare dhe policore serbe, kundër të burgosurve shqiptarë”, ka shkruar ai.
Ai ka rikujtuar se nga 19 deri më 24 maj 1999, mbi 1000 civilë të pambrojtur iu nënshtruan një sulmi çnjerëzor në Burgun e Dubravës, ku 117 persona u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.
