Qëndrim Kryeziu ka dalë me një deklaratë të gjatë kritike ndaj qeverisjes aktuale, duke renditur një sërë projektesh dhe çështjesh që sipas tij nuk janë realizuar gjatë 6 viteve e gjysmë të fundit.
“Sot po ju flas pa dorëza, me fakte, jo me premtime boshe. Sepse 6 vjet e gjysmë qeverisje na kanë treguar qartë fjalë të bukura, por vepra zero”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka përmendur si shembuj mosrealizimin e disa projekteve infrastrukturore, përfshirë rrugën Prizren–Tetovë dhe autostradën e Gjilanit, duke thënë se punimet sipas tij nuk kanë përfunduar siç ishte premtuar.
Kryeziu gjithashtu ka kritikuar mungesën e investimeve në sektorin e energjisë, duke pretenduar se disa projekte të mëdha janë bllokuar dhe se nuk janë ndërtuar kapacitete të reja të rëndësishme energjetike.
