Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me gjendjen financiare në të cilën është futur Radio Televizioni i Kosovës, pas ekzekutimit të mbi 1 milion eurove përmes procedurave përmbarimore në rastin e emisionit “Milioneri”.
Sipas sindikatave, ky zhvillim e ka vendosur transmetuesin publik në një situatë serioze financiare, duke rrezikuar funksionimin normal të institucionit dhe sigurinë ekonomike të rreth 680 punëtorëve.
Në njoftim thuhet se shqetësimi është thelluar edhe pas mbledhjes së Bordit të RTK-së, ku është bërë e ditur se institucioni i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesa urgjente për tejkalimin e situatës.
“Fillimisht është paraqitur kërkesë për mbështetje financiare, ndërsa më pas edhe kërkesë për huadhënie në vlerë prej 1.4 milion euro për mbulimin e pagave dhe shpenzimeve të tjera operative”, thuhet në njoftim.
