Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit, me pak ndryshime krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ndryshimi kryesor në listën e LVV-së është largimi i deputetëve të partisë Guxo, të cilët iu bashkuan garës me Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës. Bëhet fjalë për Jeta Statovci, Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli.
Nga Guxo në listën e LVV-së kanë mbetur Donika Gërvalla, Nezir Kraki, Fatos Geci, Triera Kasumi, Blerim Gashi dhe Valon Peci.
Në top-dhjetëshe vazhdojnë të jenë figurat kryesore të partisë, nga Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, te Albulena Haxhiu dhe Shqipe Selimi, e cila mban numrin 10 në listë.
Ndër emrat e rinj në listën e LVV-së janë edhe hoxha Osman Musliu dhe aktori kosovar Armend Baloku, i cili do të garojë me numrin 59.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës publikoi listën e kandidatëve më vonë se partitë e tjera, gjatë mesditës së së mërkurës.
Për dallim nga LVV-ja, PDK-ja ka ndryshuar thuajse 50 për qind të emrave në listë. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se ky ndryshim vjen si pjesë e përkushtimit të partisë për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj.
Një nga emrat më të komentuar në listën e PDK-së është Aida Dërguti, e cila vetëm pak ditë më parë iu bashkua kësaj partie.
