Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo është e bindur se një gjë e tillë do të konfirmohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, madje shton se për zgjedhjen e presidentit duhet pritur afatin 60-ditor, pasi në seancën e 5 marsit vetëm kanë nisur procedurat.
“Tashmë kjo masë është në fuqi. U nënkuptua që procedura e shpalljes së dekretit, ende pa u ezauruar në tërësi mundësia për zgjedhjen e presidentit të vendit apo presidentes, nuk u shfrytëzua, prandaj masa ishte dhe besoj se ka qenë e nevojshme, e domosdoshme, por gjithsesi që uroj që në aktgjykimin final të konfirmohet se dekreti nuk është valid për faktin se procesi nuk ka filluar dhe nuk është përmbyllur”, deklaron ajo.
Kusari-Lila, e cila është Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, thotë për KosovaPress se mungesa e kuorumit në seancën e 5 marsit për presidentin ka krijuar konfuzion në raport me përgjegjësitë e deputetëve. Sipas saj, duhet të ketë një vendimmarrje nga Kushtetuesja edhe në këtë drejtim, pasi kërkesa i është drejtuar nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
“Kjo është tërësisht në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Çka unë besoj se do të duhej të ishte e vlefshme, apo çka do të duhej të ishte vendim me bazë juridike dhe i arsyeshëm për stabilitetin e vendit, është të hapej edhe një mundësi kohore për kthimin në procedurë të votimit për të parin e vendit apo të parën e vendit dhe pastaj të shihet a ka mjaftueshëm vota apo vullnet të deputetëve për të vazhduar tutje. Në cilindo rast, do të duhej të ishte më i qartë dhe më i përshtatshëm në një farë forme që deputetët të deklaroheshin për qëndrimin e tyre para shpërndarjes së Kuvendit. Për shkak se në secilën rrethanë, një mungesë e konsiderueshme e deputetëve në sallë, gjithësisht mungesa e kuorumit, ka krijuar një konfuzitet në raport me përgjegjësinë e tyre, por gjithashtu edhe me faktin që menjëherë është shpërndarë Kuvendi”, shton ajo.
