Mbi 80 për qind të nxënësve 15-vjeçarë në Kosovë, të cilët iu nënshtruan testeve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, i njohur si PISA, nuk arritën as nivelin bazë në matematikë, shkencë dhe lexim.
Rezultatet e PISA-s për vitin 2025 e renditën sërish Kosovën ndër vendet me performancën më të dobët – e 8-ta nga fundi në mesin e 91 vendeve dhe ekonomive që morën pjesë – dhe nxitën diskutime për gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë.
Agon Ahmeti, nga organizata joqeveritare ETEA, e cila fokusohet në përmirësimin e arsimit parauniversitar, thotë se Kosova ka shënuar regres të vazhdueshëm në katër herët që ka marrë pjesë në PISA dhe se, gjatë kësaj periudhe, nuk janë parë reforma apo iniciativa që do të mund të sillnin përmirësim të rezultateve.
“Fatkeqësisht, në vitin 2025 kemi rezultate më të dobëta krahasuar me 10 vjet më herët, kur jemi bërë pjesë e këtij studimi”, shprehet Ahmeti në podkastin 5 pyetje të REL.
Mospërputhja mes notave të nxënësve dhe rezultateve të PISA-s
Një nga problemet që Ahmeti veçon është dallimi i madh mes vlerësimeve që marrin nxënësit në shkolla dhe rezultateve në testimet ndërkombëtare.
Ahmeti kritikon qasjen e sistemit arsimor në vend, ku, sipas tij, theksi vazhdon të jetë te mësimi përmendësh dhe matja e memories së nxënësve.
“Vlerësohet memoria e nxënësve, se sa është arritur të mbahen mend ca data, ca numra, ca formula, e kështu me radhë”, shprehet ai.
Ndërkaq, pyetjet që janë në studimin PISA, thotë Ahmeti, matin logjikën dhe mendimin kritik, ndërsa 15-vjeçarët kosovarë as një mbledhje të thjeshtë nuk arrijnë ta zbërthejnë.
“Kemi një situatë ku – t’i biem shkurt e shqip – këta nxënës, rreth 85 për qind të tyre, janë analfabetë funksionalë”, thotë ai në 5 pyetje.
“Nxënësit nuk kanë faj”


