Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestën e qytetarëve kundër planit për investimin në Zvërnec, duke theksuar se tubimi nuk ka më lidhje me çështjen fillestare të projektit. Në një postim në rrjetin social X, Rama u shpreh se qytetarët janë të lirë të protestojnë në mënyrë paqësore, por sipas tij kjo protestë po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke krijuar perceptim negativ për vendin si destinacion turistik dhe investimesh.
Ai shtoi se situata po ndikon edhe në ekonomi, për shkak të anulimeve të rezervimeve dhe bllokimeve të lëvizjes, të cilat sipas tij prekin drejtpërdrejt shumë familje të lidhura me industrinë e turizmit.
“Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqia drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës”, shkruan Rama.
Kryeministri u ndal konkretisht te protesta e zhvilluar mbrëmjen e djeshme (14 qershor) ku qytetarët marshuan drejt Rinasit, duke e cilësuar si të ndikuar nga “mendje dhe duar destruktive”, të cilat sipas tij po dëmtojnë normalitetin dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
