Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj që parasheh që një ndërtesë e Ambasadës amerikane në Prishtinë të emërtohet “Eliot L. Engel Building”, në nderim të ish-kongresistit amerikan, që njihej si një nga mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës në Uashington.
Projektligji H.R. 8562, i sponsorizuar nga kongresisti demokrat, Ritchie Torres, u miratua më 13 maj në këtë komitet me 39 vota për dhe shtatë kundër.
Tani, projektligji duhet të kalojë në procedura të tjera në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan përpara se të shndërrohet në ligj.
Engel vdiq më 10 prill në moshën 79-vjeçare. Në Kosovë, figura e tij u vlerësua lart, teksa Kuvendi u mblodh në një seancë të posaçme për të nderuar kontributin e tij për vendin.
Sipas tekstit të projektligjit, ndërtesa e Kancelarisë së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë do të njihej zyrtarisht si “Eliot L. Engel Building”, ndërsa çdo referencë e mëvonshme në ligje, harta, rregullore apo dokumente të SHBA-së do ta përdorte këtë emërtim.
Projektligji u paraqit më 28 prill nga Torres, së bashku me republikanët Michael McCaul dhe Brian Mast, si dhe demokratin Gregory Meeks. Të katër ligjvënësit kanë pasuar Engelin në krye të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kryesuesi aktual i komitetit është Brian Mast, republikan nga Florida.
Mast tha se duke pasur parasysh mbështetjen që Engel kishte dhënë për Kosovën, duket e përshtatshme që emërtimi i ndërtesës të Ambasadës të bëhet pikërisht në Kosovë.
“Si anëtar i Kongresit, ai luftoi fort në vitet ’90 për të mbështetur ndërhyrjen e SHBA-së dhe për të ndaluar mizoritë që po kryheshin ndaj shqiptarëve etnikë në Ballkan dhe më vonë punoi drejt njohjes së Kosovës nga SHBA-ja”, tha ai.
Gjatë debatit për projektligjin, kongresisti demokrat Gregory W. Meeks, foli për trashëgiminë politike të Engel, i cili ishte larguar nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tre dekadash në detyrë.
Meeks tha se trashëgimia më e madhe politike e Engel është në shtetin e ri të Kosovës.
“Ellioti ishte ndër mbështetësit më të hershëm dhe më të zëshëm që SHBA-ja dhe NATO-ja të mbronin kosovarët që po vuanin nga krimet e tmerrshme të luftës dhe gjencodit nga forcat serbe”, tha Meeks, duke kujtuar se ishte pikërisht Engel që kërkoi nga Uashingtoni që të njihte pavarësinë e Kosovës, teksa tha se vazhdoi punën për drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor.
“Ishte dhe është trashëgimia e Engel dhe kontributet e tij në Kosovë njihen prej kohësh, ku janë emëruar rrugë në emër të tij, madje imazhi i tij është në pulla postare. Dhe, më kujtohet bisedat me të lidhur me emërtimin e rrugëve në nder të tij, sa ishte krenar për këtë”, theksoi ai.
