Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me një komunikatë lidhur me kandidatin e propozuar nga LVV, Glauk Konjufca duke thënë se të gjitha mundësitë për zgjidhje i kanë diskutuar mirëpo kjo e fundit i ka refuzuar.
PDK theksoi se vendi po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale dhe se zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën.
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj që për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës parlamentare dhe mosgatishmërisë së z. Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit të ri dhe po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale. Zgjedhja e Presidentit nuk është garë për opozitën dhe nuk do të duhej të ishte as lojë politike për shumicën parlamentare. Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve”, thuhej në njoftim.
