Prokuroria Themelore në Prizren ka zbardhur detaje të reja për vrasjen që ndodhi të mërkurën në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku një person humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje të çastit për parkimin e automjeteve.
Për këtë rast, Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet Rr.H., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin, i dyshuari Rr.H. dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës S.D., duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Në momentin e të shtënave, pranë viktimës ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur, jetët e të cilave, sipas Prokurorisë, janë vënë në rrezik.




