Më shumë se një muaj pas vdekjes, Prokuroria ende nuk ka pranuar raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për rastin e 27 vjeçarit Agon Fejzullahu.
Në minutat e parë të 7 korrikut, 27 vjeçari Agon Zejnullahu vdiq pasi u arrestua nga policia në qendër të Lipjanit. Momenti i arrestimit dhe vdekjes së tij në duar të policisë u incizua nga qytetarë nga kënde të ndryshme, duke ngjallur shumë revoltë për sjelljen e policëve. Në një video që e pati siguruar T7 shihet se njëri nga zyrtarët ia vë gjurin në qafë tani të ndjerit.
Ditën që vdiq, u krye autopsia mirëpo Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk kanë pranuar ende raport nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Ju njoftojmë, se deri më tani Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar ende raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML)”, thuhet në përgjigje.
Lidhur me këtë rast, IML ka pasur vetëm një reagim, një ditë pas rastit, ku thotë se autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.”
Ditën tjetër, IML tregoi se për shkak të renovimeve në objektin e saj disa mostra janë dërguar në Evropë dhe rajon pa përmendur specifikisht rastin e Agon Zejnullahut.
“Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe kohore të mosfunksionimit të laboratorit, me urdhëresë të prokurorëve përkatës, një numër i caktuar i mostrave janë dërguar dhe do të dërgohen për analizim toksikologjik në vendet e rajonit dhe Evropës”, thuhej në njoftim.