Kërkesa që listës së dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit, t`i shtohet ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, u refuzua nga trupi gjykues, ndonëse Gjykata në krye me Charls Smith, vendosi që pesë deklaratat e mëparshme të Zyrapit të pranohen në kuadër të provave.
“Pesë deklaratat janë deklarata sipas kuptimit të Rregullave 153-155 dhe për këtë arsye pranimi i tyre u nënshtrohet kërkesave specifike të përcaktuara nga ato rregulla. Për më tepër, pesë deklaratat përmbajnë informacione që shërbejnë si provë e veprimeve dhe sjelljes së të akuzuarit siç akuzohet në aktakuzë dhe kanë të bëjnë me çështje qendrore në rastin e Prokurorisë”, thekson Specialja.
Ndërkohë, njëri nga dëshmitarët në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka pranuar se kishte ekzagjeruar torturat që pretendonte se i ishin bërë, me qëllim që të njihej si viktimë pjesëmarrëse në proces.
Në pyetje është dëshmitari i 35-të, i cili deri atëherë ishte dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Gjatë dëshmisë së tij, mbrojtja e Rexhep Selimit vuri në pah mospërputhje në deklaratat e dëshmitarit lidhur me kohën e rrahjeve dhe mënyrën se si ai pretendonte se ishte rrahur.
Por që pas këtyre pyetjeve,vetë dëshmitari pranoi se kishte ekzagjeruar disa pjesë të dëshmisë së tij.
