Presidenca daneze e Këshillit të BE-së është zotuar se do të angazhohet të “gjejë rrugë” për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit europian. Megjithatë, në një përgjigje, Danimarka s’foli konkretisht nëse do të merret më seriozisht se paraardhëset e saj me aplikimin e Kosovës në BE, i cili u dorëzua më dhjetor të vitit 2022 dhe që atëherë s’ka kaluar asnjë fazë të mëtutjeshme.
Nga 1 korriku Danimarka mori drejtimin e Presidencën së Këshillit të Bashkimit Europian në një kohë kur BE po përballet me një rend të ri ndërkombëtar e konflikte në rritje. Në mesin e gjithë këtyre çështjeve që do t’i duhet të merret, në sirtar i ka mbetur edhe aplikimi i Kosovës në Bashkimin Europian.
Përfaqësia e Përhershme të Danimarkës në BE në një përgjigje për Express tha se Presidenca daneze do të shtyjë përpara procesin e zgjerimit për vendet që aspirojnë t’i bashkohen Unionit dhe për “rastin e Kosovës” dha një zotim se do të angazhohet “për të gjetur” rrugë meqë ndryshe nga vendet tjera të rajonit, Kosova ka problemin e mosnjohjes së shtetësisë së saj nga pesë vende anëtare.
“Presidenca Daneze e BE-së do të punojë ngushtë me Komisionin dhe shtetet anëtare për të çuar përpara procesin e zgjerimit bazuar në merita dhe mbështetje për reformat e nevojshme dhe hapat politikë në vendet aspiruese. Në rastin e Kosovës, Presidenca Daneze do të punojë për të gjetur rrugë përpara, të cilat mund të kontribuojnë në integrimin më të ngushtë të Kosovës me BE-në”.
Optimist se Danimarka do të ndihmojë rajonin ishte shprehur edhe vetë presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa.
“Mund të mbështetemi te Presidenca daneze për të çuar përpara negociatat me Ukrainën, dhe gjithashtu me Moldavinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa në ceremoninë e marrjes së presidencës nga Danimarka.
Aplikimi i Kosovës i dorëzuar në mes të dhjetorit të vitit 2022 nuk ka arritur të kalojë as fazën e parë për t’u shqyrtuar nga Këshilli i BE-së dhe më pas të dërgohet për opinion te Komisioni Europian.
Në rotacionin gjashtëmujor, që nga 2022-a Presidencën e Këshillit të BE-së e udhëhoqën shtete anëtare që ishin edhe më mbështetëse ndaj Kosovës, por asnjëra prej tyre nuk e nxori aplikimin për ta çuar më tej.