Derisa vërshimet e fundit bënë që fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë shkollor të shtyhet në zonat e prekura rëndë, mësimi nuk nisi pa telashe as në zonat që i përballuan më lehtë ato.
Në kryeqytet, nxënësit e disa shkollave i gjetën klasat të ftohta dhe ankesat, sipas Këshillit të Prindërve, ishin për disa kryesisht në fshatra, pa përjashtuar edhe disa në kryeqytet.
“Ne si Këshill i Prindërve kemi pas ankesa dhe kemi nga drejtorë të shkollave sepse është dashtë më herët me lëshu nxemjen, ditën e shtunë e të dielën që me qenë ambienti i ngrohtë. Kanë fillu me i lëshu nxemjet të dielën në orët e vona disa shkolla dhe normalisht, kur kanë ardh fëmija në shkollë, meqenëse ka qenë pushim, objekti nuk ka arrit me u ngroh i tëri. Këtë shqetësim e kemi ngrit jo vetëm tash po disa vite e ngrisim që gjysmë vjetori i dytë të mos na zë në këto telashe”, ka theksuar Nexhmi Hoxha, kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.
Bazuar në ankesat e pranuara, sipas Hoxhës, problemet dallonin nga shkolla në shkollë.
“Problemi di të jetë edhe nga TERMOKOS, për shkak të rrymës por ka pas edhe si shkak i mungesës së druve, nënshkrimit të kontratave që po bëhen me vonesë. Si Këshill i Prindërve jemi shumë të zhgënjyer. Si prind po japim edhe kontributin vullnetar, po mundohemi me iu ndihmu, por kur e shohim që pjesa komunale dhe qeveritare shumë pak, komuna mundohet në aspektin e vet dhe thotë që nuk i kemi mundësitë më shumë, nuk na e kanë lëshu buxhetin”, ka theksuar Nexhmi Hoxha – kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, për RTVDukagjini.
Probleme u raportuan edhe në Komunën e Vitisë me ç’rast, u publikuan edhe foto të stufave elektrike brenda klasave, në shkollën “Mirali Sejdiu” në fshatin Gërmovë dhe në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”.
