Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 4 qershor 2025 kishte zhvilluar një aksion të gjerë dhe të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) persona, ndërsa janë sekuestruar dyzet (40) mjete të dyshuara për kryerjen e veprave penale, përfshirë dhjetë (10) kamionë, pesëmbëdhjetë (15) eskavatorë dhe pesëmbëdhjetë (15) makineri për separim, si dhe prova të tjera materiale. Vlera totale e mjeteve të sekuestruara është vlerësuar rreth dy milionë euro.
Megjithatë, vetëm disa muaj pas këtij aksioni, më 17 dhjetor 2025, autoritetet kanë parandaluar një tjetër tentativë për dëmtimin e mjedisit. Në orët e vona të natës, tre persona janë arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet se kanë tentuar të eksploatojnë në mënyrë të paligjshme zhavorr në afërsi të lumit “Drini i Bardhë”.
