Kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin kur Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri, ndërsa partitë politike, pozitë dhe opozitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për emrin e kreut të shtetit.
Sipas opinionit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Njohësi i çështjeve politike, Nexhemdin Spahiu në një prononcim për IndeksOnline thotë se ka pak shpresë që partitë të arrijnë një marrëveshje për presidentin.
Ai vlerëson se ndonëse asnjëra parti nuk i dëshiron zgjedhjet, sipas tij, nuk po punohet mjaftueshëm për shmangien e tyre.
“Nuk ka disponim nga asnjë parti politike për të shkuar në zgjedhje, por a do të zgjidhet presidenti apo jo, kjo është një pikëpyetje e madhe. Tash vjen koha që asnjërit nuk i konvenon të shkojë në zgjedhje dhe të gjitha partitë e tërheqin konopin nga vetja. Dikur mund të këputet konopi dhe pa dëshirën e askujt, të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.



