Policia ka zbuluar planin operativ për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, duke listuar katër fazat e veprimit, me të parën që tashmë është realizuar.
“Policia e Kosovës, bazuar në ligjet pozitive të vendit dhe autorizimeve institucionale, me kohë ka hartuar urdhrin operativ dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me ‘Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’, të cilat do të mbahen me datën 07 qershor 2026 në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Përmes urdhrit operativ, parashihen të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, përfshirë pajisjet e nevojshme logjistike, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”.Plani operativ përfshin katër faza: periudhën parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, angazhimin në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, garantimi e sigurisë në ditën e zgjedhjeve dita (Z), periudhën pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
