Mbrëmja e 26 qershorit të këtij viti rezultoi mjaft e rëndë për banorët e kullës 3 në lagjen Emshir të Prishtinës, ku si pasojë e një incidenti, u përfshi në flakë kulmi i kësaj ndërtese. Rreth tre muaj pas kësaj ngjarjeje, banorët po i vuajnë edhe më shumë pasojat, raporton GazetaDemos.
Moti i ligë i cili po përcillet me reshje të dendura shiu e bore, kanë shqetësuar banorët atje, të cilët po bëjnë çmos që ta largojnë me vetiniciativë sasinë e madhe të ujit dhe t’i eliminojnë rreziqet potenciale.
Ekipi i GazetësDemos sot qëndroi në vendngjarje, ku pa nga afër vështirësitë me të cilat po përballen banorët atje.
Në kushte anonimiteti, një banorë i kësaj ndërtese tregoi se po bashkëveprojnë për t’i ndihmuar njëri-tjetrit.
“Banesa ime ndodhët përfundi banesës së fqinjit tim, por erdha me iu ndihmu këtyre që iu ka bë dëme të mëdha, por edhe po mundohem ta parandaloj ujin që sa më pak të bie në banesën timë përfundi. Uji ka filluar që nga dje pas reshjeve të borës intensive”, tha ai. I njëjti deklaroi para kamerës së Gazetës Demos se po ka sasi të mëdha të ujit që po depërton poshtë banesave të tjera. “Kulmi i djegur dhe i parinovuar po e shkakton gjithë këtë, dhe do të ketë pasoja shumë të mëdha, jo vetëm për këto dy banesa por edhe për disa banorë që janë pronarë të këtyre banesave. Ai shtoi se kanë bërë ankesa e kërkesa në Komunën e Prishtinës, duke treguar gjithashtu se kanë marr premtime, por të njëjta deri më tani nuk janë zbatuar. “Ata na kanë thënë që po e presin buxhetin nga Qeveria. Agjencioni i Emergjencave ka premtuar që do të ofrojë ndihmë, por Komuna nuk ka ndërmarr ende asgjë. Arsyet ne nuk mund t’i dijmë. Kanë bë vizita, e kanë çuar edhe Komisionin për Vlerësime, por me ndërmarr, s’kanë ndërmarr asgjë. Pasurinë që një familje e ka investuar tërë jetën e vet sot po duhet me pagu dëm”, përfundoi ai.