Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, vlerësoi se reformat në këtë shtet janë “ngadalësuar ndjeshëm” në disa segmente dhe se ka, siç tha ai, regres, i cili duket veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe standardeve të demokracisë si sistem.
“Që nga miratimi i raportit tonë për Serbinë vitin e kaluar e deri sot, gjendja në vend është përkeqësuar më shumë. Situata është jashtëzakonisht e polarizuar dhe e mbushur me tensione. Ritmi i përgjithshëm i procesit të anëtarësimit në BE ka ngecur prej vitesh”, vlerësoi Picula në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku u diskutua rreth draft-raportit vjetor për Serbinë.
Raportuesi Picula stagnimin ia atribuoi përparimit të kufizuar në dialogun për normalizim të raporteve me Kosovën, mungesës së vazhdueshme të përputhshmërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, mungesës së përgjithshme të vullnetit të vërtetë politik për të ecur përpara, retorikës së shpeshtë kundër zyrtarëve evropianë, përkeqësimit të kushteve për punën e lirë të mediave dhe shoqërisë civile, si dhe injorimit të rekomandimeve për reformën zgjedhore.
Sipas tij, Serbia si shtet kandidat duhet të angazhohet në mënyrë sistematike dhe strategjike drejt anëtarësimit të deklaruar në BE.
“Angazhimet deklarative në këto rrethana nuk mund të merren më si politikë serioze e mbylljes së syve apo e forcimit të stabilitetit si alibi nga disa aktorë evropianë. Ato nuk sollën rezultate në transformimin e vendit, përkundrazi, fatkeqësisht e larguan atë nga anëtarësimi”, tha ai.
“Edhe pse Serbia ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përfaqëson qëllimin e saj strategjik, ne shohim që detyrimet e marra shpesh nuk pasqyrohen në praktikë, siç është rasti i mosshkuarjes në samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor të vitit të kaluar, por edhe pjesëmarrjes në paradën ushtarake në Moskë në maj të kaluar”, shtoi Picula.
Duke folur për lirinë e mediave, raportuesi për Serbinë vlerësoi se gjendja në këtë fushë është “tronditëse në shumë nivele”.
Ai dënoi përshkallëzimin e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat, sipas tij, “po kthejnë vendin në kohë të errëta”.
Gjatë debatit, disa deputetë që bënin pjesë në misionin që vizitoi Serbinë në janar kritikuan mungesën e gatishmërisë së autoriteteve të Beogradit për t’u takuar me anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian.
Shumica e anëtarëve të delegacionit vërejtën se presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, kishin bërë komente negative para vizitës, të cilat u shoqëruan me tone negative në raportimet e mediave proqeveritare.
Eurodeputetja Marta Temido, e cila udhëhoqi delegacionin që vizitoi Serbinë në janar, vuri në pah se kishte “retorikë hapur armiqësore” ndaj vizitës së delegacionit të Parlamentit Evropian dhe një interes të kufizuar nga përfaqësuesit e partisë në pushtet për të diskutuar rreth anëtarësimit në BE.
Ajo tha se autoritetet në Serbi, mungesën e përparimit në miratimin dhe zbatimin e reformave e justifikojnë me frustrimin dhe afatet e paqarta kohore.
“Vizita ishte një demonstrim se Serbia është prioritet i Parlamentit Evropian, se ne duam një Serbi demokratike në BE dhe se aktualisht ekziston një nxitje reale në procesin e zgjerimit të BE-së. Megjithatë, kjo kërkon respekt të plotë të kritereve të Kopenhagës dhe angazhim të qartë nga ana e autoriteteve”, tha Temido.
Përfaqësues të institucioneve evropiane, Komisionit Evropian dhe Shërbimit për Veprim të Jashtëm (EEAS), që morën pjesë në debat, paralajmëruan se ritmi i përgjithshëm i negociatave për anëtarësimin e Serbisë do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me Kosovën.
Përfaqësuesja e EEAS-së, Anne Kemppainen, shprehu shqetësim për ndryshimet e fundit në ligjet e drejtësisë.
Ajo theksoi se BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga autoritetet serbe të ndalojnë menjëherë zbatimin e tyre dhe të kryejnë rishikime sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që pritet të bëhen publike.
