Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pas paraqitjes së të enjtes mbrëma në një debat televiziv të koleges së tij në parti, Vjosa Osmani, ka thënë se kjo e fundit është në “turizëm politik, i cili kur mbaron mbetesh në rrugë, i frustruar, i nervozuar, deri në ofertën turistike politike të radhës”.
“Matrapazët politikë edhe mund ta gjejnë ndonjë ofertë. Por shtëpia nuk zëvendësohet me strehën e kundërshtarit, që të shfrytëzon për interesa të veta”, ka shkruar Hoti.
Në Kanal 10, të enjten e 12 nëntorit, Vjosa Osmani ka thënë se ka individë brenda LDK-së, të cilët “veprojnë në interes të SHIK-ut”.
“Ata thanë para se të kthehet kërko falje, dhe unë ju thash jo, nuk kërkoj falje për asgjë. Sepse LDK-ja me ka lutur me u rikthy. Asgjë nuk i kam kërkuar LDK-së, as nuk i kam kërkua pozicion partiak, as sot nuk i kërkoi asgjë. Jam kthy me ndihmu. Natyrisht që SHIK-ut i pengon kjo. Po pse disa po veprojnë në interes të tyre brenda partisë është e tmerrshme, është e dëmshme”, ka thënë ajo.