Gjendja në Serbi është bërë shqetësuese, pasi është vërejtur rritje e dhunës krahasuar me vitin e kaluar. Kështu ka thënë i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Tonino Picula në një podcast, transmeton KosovaPress. Ai po ashtu ka thënë se situata parazgjedhore në Serbi e krijuar pas deklaratave të Vuçiqit për dorëheqje, dëshmon se do të pasojë një periudhë edhe më e vështirë.
Picula nënvizoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tashmë ka hyrë në fushatë për postin e kryeministrit.
“Unë them se Serbia ndodhet në një gjendje të pashpallur të jashtëzakonshme tash e një vit e gjysmë, që nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Prandaj mund të presim vetëm polarizim të mëtejshëm në Serbi dhe një përpjekje edhe më të madhe të partisë në pushtet dhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiq për të dominuar”, ka thënë ai.
Ai shtoi se është vërejtur rritje e dhunës krahasuar me vitin e kaluar dhe se gjendja në Serbi është bërë shqetësuese.
“Po punohet sistematikisht për dobësimin e të gjitha institucioneve jetike, të rëndësishme për një rend demokratik. Serbia ka mbetur dukshëm prapa në fushën e të drejtave themelore. Gjithashtu, është i dukshëm forcimi i narrativës që nuk shkon në favor të Bashkimit Evropian. Nëse dikush që nuk është fare i informuar do ta ndiqte situatën politike në Serbi, me të vërtetë nuk do të ishte i sigurt nëse bëhet fjalë për një vend kandidat për anëtarësim në BE apo për një shtet që po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje afatgjatë bashkëpunimi dhe miqësie me Rusinë e Putinit ose me Kinën”, ka thënë Picula, sipas danas.
Në prag të seancës plenare të Parlamentit Evropian, që do të mbahet javën e ardhshme dhe ku ai do ta prezantojë Raportin për Serbinë, Picula vlerësoi se Serbia është bërë një shoqëri edhe më e polarizuar, me dobësim të theksuar të kapaciteteve demokratike dhe të kornizës institucionale.
