Me debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës është përcjellë mbledhja e sotme e Komisionit për Ekonomi, si shkak i mungesës së kryetarës së Autoritet të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi e cila ishte ftuar për të diksutuar lidhur me gjendjen në këtë institucion, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i komisionit nga radhët e PDK-së, Arben Mustafa, deklaroi se Binaku-Isufi fillimisht e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhje, por më pas e kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë, pa dhënë ndonjë aryetim.
Mustafa tha se komisioni kishte pranuar gjatë ditëve të fundit raporte nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, të cilët, sipas tij, ngrinin shqetësime për gjendjen në këtë institucion.
Ai pretendoi se që nga maji i vitit 2025, kryetarja nuk kishte ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, ndonëse, sipas tij, ky organ kishte kuorumin e nevojshëm për të zhvilluar punën.
“Pa dhënë ndonjë arsyetim konkret, njofton se nuk mund të vijë për raportim në komision. Sidoqoftë, duke pasur parasysh raportet që ne si komision kemi pranuar gjatë këtyre ditëve nga anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me situatën shqetësuese që po mbizotëron në këtë institucion.Zonja Neime Binaku-Isufi, që nga muaji maj i vitit 2025, nuk ka ftuar asnjë mbledhje të Komisionit të Konkurrencës, që është organ kolegjial i cili menaxhon me punën e autoritetit. Pavarësisht se komisioni ka kuorumin e mjaftueshëm me anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Pra, ka kuorum, por mbledhjet nuk ftohen diku për një vit e gjysmë”, theksoi ai.
Derisa, po vazhdonin diskutimet, Mustafa u përfshi në përplasje verbale me deputetë të mazhorancës, duke kërkuar që të mos ndërpritej fjala e tij.
“Mos më ndërpritni, e merr fjalën. Jemi në rend të ditës dhe, nëse pajtohemi ta mbajmë këtë temë si pikë të rendit të ditës, atëherë e ndërpres diskutimin. A jeni për ngut? Ju mos më ndërpreni dhe pastaj e merrni fjalën. Pse po ju pengon? Unë e di çka bëj”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, kërkoi që diskutimi të zhvillohej në përputhje me rregullat e punës së komisionit.




