Një incident i dhunshëm ka ndodhur të shtunën mbrëma para klubit Rinora4 në Rümlang, afër Cyrihut, ku një punëtor sigurie 34-vjeçar me origjinë nga Kosova është therur me thikë dhe është dërguar me plagë në spital.
Sipas policisë, sulmuesi i dyshuar është një 26-vjeçar kosovar, i cili është arrestuar në kantonin Aargau.
Pamjet e publikuara nga “20 Minuten” tregojnë se ngjarja është paraprirë nga një përleshje mes sigurimit të klubit dhe disa klientëve. Në video shihet se të paktën pesë roje sigurie godasin me grushta një grup festuesish, ndërsa dy prej tyre bien në tokë – njëri prej tyre godet me kokë trotuarin dhe mbetet pa ndjenja.
Dëshmitarë kanë treguar se gjithçka nisi kur një person nga grupi i klientëve u përjashtua nga klubi, pasi kishte konsumuar shumë alkool. Kur miqtë e tij dolën për ta ndihmuar, sigurimi – sipas tyre – përdori sprej lotsjellës dhe dhunë fizike.
