Raportet ndërkombëtare të qendrave që monitorojnë lëvizjet sizmike në mbarë botën, nënvizojnë se përgjatë javës së fundit, në territorin e vendit tonë janë evidentuar 15 tërmete me magnitudë maksimale deri në 4.8.
Sizmologët thonë se lëkundjet janë sinjal se rajoni mbetet sizmikisht aktiv, ndërkohë që epiqendra e tërmetit të mbrëmshëm ishte zona Prizren-Shtërpcë, me një thellësi hipoqendrore 5 km, duke u ndier edhe në rajon.
“Tri zonat me aktivitet më të lartë sizmik janë: zona e Istogut, Pejës dhe Deçanit, zona e Prizrenit; si dhe zona Ferizaj, Viti, Gjilan. Ndërsa me aktivitet më të ulët sizmik janë pjesa veriore e Kosovës, si dhe zonat e Prishtinës dhe Drenicës”ka thënë Shemsi Mustafa, Drejtor i Insitutitit Sizmologjik të Kosovës.
Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë 12 muajve të fundit në Kosovë dhe në zonat përreth janë regjistruar mbi 300 tërmete të magnitudave të ndryshme, shumica prej tyre me intensitet të ulët.
