Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 korrik 2026, ka ngritur aktakuzë kundër Adem Helshanit, Qëndrim Elshanit, Mentor Dreshajt, Leon Dizdarit, Ardian Gashit dhe Faruk Osajt, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe vepra të tjera penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të pandehurit gjatë periudhës nga korriku 2024 deri më 29 janar 2025, duke vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, kanë ndërmarrë veprimtari kriminale të vazhdueshme.
Sipas Prokurorisë, Adem Helshani, i cili jeton jashtë Republikës së Kosovës, ka organizuar, drejtuar dhe mbikëqyrur veprimtarinë e grupit, ndërsa Qëndrim Elshani ka shërbyer si ndërmjetës për përcjelljen e urdhrave dhe sigurimin e mjeteve financiare e armëve.
Takimet dhe koordinimet e grupit, sipas aktakuzës, janë zhvilluar kryesisht në Pejë dhe në shtëpinë e të pandehurve Mentor Dreshaj dhe Leon Dizdari, në fshatin Nabërgjan të Pejës.
Në aktakuzë thuhet se më 1 qershor 2024, në fshatin Baicë të Istogut, Faruk Osaj, sipas planit paraprak, ia ka vënë zjarrin kamionetës së të dëmtuarit Blerim Elshani, duke shkaktuar dëm material në vlerë prej rreth 9 mijë eurosh, si dhe dyshohet se e ka kërcënuar me jetë.
U ndalua vrasja pas ndërhyrjes dhe arrestimit nga Policia e Kosovës
Ndërkaq, Adem Helshani, gjatë viteve 2024 dhe 2025, në lidhje me një kontest pronësor, në disa raste ka kërcënuar me jetë të dëmtuarin Jeton Buquku, fillimisht duke i kërkuar shumën prej 1 milion eurosh, e më pas duke e kërcënuar me djegien e lokalit dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm psikik, me qëllim që ta detyrojë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Tutje, sipas aktakuzës, gjatë muajve dhjetor 2024 dhe janar 2025, Qëndrim Elshani, Leon Dizdari, Mentor Dreshaj, Faruk Osaj dhe Ardian Gashi, sipas udhëzimeve të Adem Helshanit, kanë ndërmarrë veprime konkrete për përgatitjen e vrasjes së të dëmtuarit Shkodran Hyseni, si dhe plagosjen ose vrasjen eventuale të Jeton Buqukut dhe Egzon Buqukut.
Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë për shkak të motiveve të ulëta dhe me qëllim të përforcimit të pozitës së grupit kriminal, frikësimit të viktimave dhe detyrimit të tyre për të vepruar në kundërshtim me interesat e tyre pasurore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas disa takimeve paraprake dhe përcjelljes së lëvizjeve të të dëmtuarve, më 28 janar 2025, në fshatin Nabërgjan të Pejës, Leon Dizdari dhe Mentor Dreshaj janë takuar me Ardian Gashin për ta angazhuar në kryerjen e vrasjes së Shkodran Hysenit.
Në këtë takim, sipas aktakuzës, ata ishin pajtuar që për vrasjen e Hysenit t’i paguanin Gashit 30 mijë euro, ndërsa në rast të plagosjes, 7 mijë euro.
Të nesërmen, më 29 janar 2025, rreth orës 20:00, në afërsi të hekurudhës në fshatin Nabërgjan të Pejës, Leon Dizdari dhe Mentor Dreshaj dyshohet se i kanë dorëzuar Ardian Gashit një armë automatike të tipit AK-47 për realizimin e planit kriminal.
Mirëpo, si rezultat i ndërhyrjes dhe arrestimit nga Policia e Kosovës, sipas Prokurorisë, të pandehurit nuk kanë arritur ta kryejnë vrasjen e planifikuar.


