Parlamenti Evropian pritet të votojë të mërkurën në Komisionin për Politikë të Jashtme në Bruksel raportin për Kosovën, i cili parasheh mbështetje të fuqishme për synimet e vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe përsërit kërkesën që të gjitha shtetet anëtare ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në draft-raport, njëkohësisht shprehet keqardhje për situatën politike në vend, për ngërçin institucional dhe polarizimet që kanë shoqëruar proceset zgjedhore, duke paralajmëruar se kjo gjendje mund të sjellë pasoja të rënda financiare për Kosovën.
Sipas dokumentit, ekziston rreziku që vendi të humbasë mjete të konsiderueshme nga Plani i Rritjes, nëse nuk arrin t’i përmbushë kriteret brenda afateve të përcaktuara.
Raporti, i hartuar nga eurodeputeti estonez Riho Terras, vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe përshëndet formimin e qeverisë, por thekson mungesën e kompromisit për zgjedhjen e presidentit.
Po ashtu, bëhet e ditur se mes grupeve kryesore parlamentare janë dakorduar amendamentet e kompromisit, të cilat konfirmojnë edhe një herë mbështetjen për shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në BE.
