Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj ka kërkuar hetim institucional për pretendimet mbi dronët dhe transparencë të plotë për fabrikën e municionit, pas raportimeve të mediave lidhur me vërtetësinë pamjeve të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore.
Kabashi-Ramaj duke thënë se ky mashtrim publik është problem institucional dhe i sigurisë kombëtare, theksoi se qytetarët duhet ta dinë të vërtetën.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ish-kryeministri Kurti promovoi publikisht edhe përmes vizitës atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarak në Gjilan, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po prodhohen dronë dhe kapacitete të avancuara teknologjike për siguri”, theksoi ajo.
“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar inxhinierik, protokolle të sigurisë dhe mbikëqyrje shtetërore, licenca e autorizime të qarta ligjore, testime të shumta teknike dhe operative. Asnjë prej këtyre nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo me montazh vizual. Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.
