PDK kritikon gjendjen në disa sektorë në vend, thotë se situata është alarmante
Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar fushëveprimtarinë e Komisionit, ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës pati kritika ndaj qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku renditi pakënaqësitë duke thënë se pothuajse në të gjithë sektorët gjendja është alarmante, duke përfshirë, bujqësinë, infrstrukturë e sektorë të tjerë.
“Dhe realisht të gjitha fushat që ne i mbulojmë sigurisht që është mjedisi, ushqimi, bujqësia, pylltaria, zhvillimi rajonal, infrastruktura, transporti në të gjitha kemi në gjendje alarmante për mendimin tim personal. Dhe sigurisht që ne kemi për detyrë sa më shumë edhe sa më shpejt të kemi edhe një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë, jo vetëm të legjislacionit në fuqi, por edhe të shkojmë edhe në terren t’i vëzhgojmë në pjesën e atyre lëmive që ne kemi marrë më shumë ankesa. Njëra ndër këto është, për shembull, çështja e kontratave njëburimore të Ministrisë së Infrastrukturës. Dhe pavarësisht asaj që ka pasë kontrata njëburimore, shumë probleme nuk janë evidentu sikur, për shembull, rasti i autostradës kombëtare ku ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe ka pasë mbi 20 ankesa nga institucionet e sigurisë, ndërsa ministria përkatëse nuk ka marrë asnjë veprim dhe kemi raste me fatalitet. Kemi raste shumë të rënda që realisht kanë humbur jetë, prandaj sigurisht që ne duhet të jemi vigjilentë në këtë pjesë edhe të ngrisim zërin sepse për atë kemi ardhur edhe në Kuvendin e Kosovës si përfaqësues të qytetarëve pa dallim partie politike.Pastaj besoj që pas miratimit edhe të këtij vendimi për fushëveprimtarinë e komisionit, sigurisht që ne duhet të bëjmë edhe komisione ad-hoc për t’i vëzhguar institucionet relevante apo edhe ligjet që duhet t’i kemi, edhe pse nuk e dimë ende se a do të përfundojë cikli i zgjedhjes së presidentit që pastaj me na i lënë në gjysmë punët e mbikëqyrjes së kuvendit. Po gjithsesi ne duhet t’i ngrisim këto çështje.


