Pas një angazhimi të pandërprerë, ka përfunduar me sukses procesi i mbulimit të deponisë së qytetit të Pejës, me rreth 24,000 metra kub dhe.
Lajmin e ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”.
“Sot, deponia është në gjendje stabile, ndërsa zjarri dhe tymi janë eliminuar plotësisht. Njëkohësisht, janë zbatuar rekomandimet e Inspektoratit të MMPH-së për mbulimin me dhe, ndërsa, sipas rekomandimeve profesionale, është duke vazhduar edhe procesi i ajrosjes së zonës” thuhet në komunikatë.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve, Gramoz Xhemajli, së bashku me kryeshefin ekzekutiv, Diedon Berisha, kanë përcjellë nga afër ecurinë e punimeve, duke udhëhequr dhe mbështetur vazhdimisht procesin deri në përmbylljen e tij.
KRM “Ambienti” deklaron se angazhimi, koordinimi dhe vendimmarrja e tyre kanë qenë vendimtare që situata të menaxhohet me efikasitet dhe të rikthehet stabiliteti në deponi.
“Fatkeqësisht, zjarrvëniet e qëllimshme gjatë stinës së verës, tash e shumë vite, kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme në deponi, duke ndikuar negativisht edhe te banorët përreth. Për këtë arsye, mbetet e domosdoshme bashkëpunimi i të gjithëve për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen” thuhet tutje në njoftim.
