Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari për kanosjen e kryeministrit Albin Kurti, e ka pranuar fajësinë, por iu refuzua nga Gjykata.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, i akuzuari Ismet Mekani deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Mekani, i cili tha se është ish-ushtar i UÇK-së dhe jeton në Itali, deklaroi se veprën e kreu në gjendje të dehur.
“Unë në atë moment jam provokuar nga si simpatizantët ose nga personat të cilët ishin të lumtur kur u burgosën krerët e UÇK-së. Unë si ushtar i UÇK-së, kur e përmendin aty UÇK-në, e di UÇK-në me përjetime të luftës, me të vërtetë, nuk e kam UÇK veç në uniformë… Edhe në ato momente unë edhe jam kanë nën ndikim të alkoolit, kam humb vetëdijen, çka kam thënë, kam thënë pa vetëdije në ndikim të alkoolit. S’kam pasur ndonjë plan, se unë jetoj në Itali duke punuar atje”, tha i akuzuari Mekani.
