Sindikata e Punëtorëve Privat të RTK-së kanë kërkuar legjislaturës në ardhje të Kuvendit të Kosovës që para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit, të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit, të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vitesh.
“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i drejtohet legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurojë më në fund financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik. Modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit. RTK prej 26 vitesh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik. SPERTK kërkon që: Para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit. Të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit. Të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vitesh. SPERTK do t’i paraqesë legjislaturës së re dhe organeve të ardhshme drejtuese kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive. Ne do të presim deri në formimin e plotë të Kuvendit, Bordit dhe menaxhmentit. Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK do të nisë masat sindikale pa vonesë” , thuhet në njoftimin e sindikatës.
